14 February, 2015

Nje post jo dhe aq i këndshëm



Zoti D. nuk është gjë tjetër veçse pjella e zotit F.
Janë dy bashkëpunëtorë që i kurdisin planet me njëri-tjetrin me qëllimin që të mbijetojnë sa më gjatë duke të ngulur kthetrat në shpirtin tënd e duke infektuar mendimet e tua me praninë e tyre të ndyrë.

Janë dy qelbësira që përfituan gjatë viteve të tua të fëmijërisë dhe filluan të të injektonin atë helmin e pështirë, pak e nga pak, gjithmonë e më shumë.
Ti aty u sëmure.
Grimca energjie që largoheshin përditë, heshturazi, duke avulluar nga çdo pore e trupit tënd dhe a e ndjeje ti vallë? Absolutisht jo, askurrgjë.
Derisa një mëngjes jo aq të bukur, u zgjove me sytë e enjtur nga të qarat e natës së shkuar, me dëshirën e keqe e të mos bërit asgjë, se fundja boshi të kishte pushtuar kokën.
E zotërinjtë e lartpërmendur?
Kundronin pa thënë as më të voglën fjalë, duke frymuar me një ritëm, koherenca e të cilit përshtatej në mënyrë perfekte me atë të frymëmarrjes tënde.
Vetëm me një ndryshim jo fort të vogël: teksa ti nxirrje, ata thithnin...